Kombëtarja e Kosovës U-21 në futboll do të ballafaqohet sonte me Andorën në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 19:00.

Dje, u njoftua se katër lojtarë dhe një anëtar i stafit kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, por, Fuad Rahimi dhe Krashnik Krasniqi premtojnë se ata do të japin maksimumin për rezultat pozitiv ndaj Andorës.

“Ne jemi të gatshëm për ndeshjen me Andorrën dhe do të japim 100 përqindshin tonë. E dimë që Andorra është ekip që duhet respektuar, ngase në ndeshjen e fundit ka barazuar me Anglinë (3:3), por ne presim fitore dhe secili prej nesh do të luftojë fortë në fushën e gjelbër për t’ia arritur këtij qëllimi. Normalisht, në fund mbetet të shohim se çfarë do të tregojë loja, por jemi optimist se kësaj radhe do të krijojmë më shumë raste dhe do t’i shfrytëzojmë ato.”, deklaroi ai.

Kurse, Krasniqi tha se synimi është që ta mbizotërojnë lojën dhe të japim gola.

“ Sigurisht se i gjithë ekipi do të luftojë deri në minutën e fundit për të marrë rezultatin që duam. Synimi është që ta mbizotërojmë lojën dhe të japim gola. Besoj që kemi mësuar nga gabimet e shfaqura në ndeshjen e kaluar dhe do të bëjmë lojë edhe më të mirë. E njohim Andorrën, janë ekip i fortë, por neve na mbetet që të jemi sa më kreativ në lojë dhe mendoj se kemi lojtarë kualitativ që dinë të krijojnë raste dhe t’i konvertojnë ato në gola. Gjithsesi, Andorra është një shtet i vogël, por kanë ekip me temperament luftarak. Në ndeshjen e parë kundër tyre e kemi dominuar lojën dhe besoj se njëjtë do të ndodhë edhe tani.”, theksoi Krasniqi.