Seanca e Kuvendit po vazhdon me akuza e kundër-akuza nga deputetët. Kësaj radhe në mënyrë ironike, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka propozuar për presidente të vendit, deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Në seancën plenare, ku po shqyrtohen ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, Krasniqi tha se deputetja e VV-së përfaqëson mirë unitetin e partive politike, pasi ka qenë tek të gjitha kapak.

“Ne krejt e dina që ju jeni pajtuar që me bërë Isa Mustafën, por tash ky nuk është opsion. E unë po propozojë me të bërë ty presidente. Besoj që si përfaqësuese e unitetit lidhesh më mirë se je kanë me PDK, AKR, LDK, Vetëvendosje, Alternativ, s’di a je kanë me najkon tjetër. Po më merr mendja se si përfaqësuese e unitetit të popullit askush këtu nuk mundet me pas argumente se ju përfaqëson të gjithëve. Me të gjithë je kanë kapak. E tash me Vetëvendosjes je bo shumë”, tha ai.

Por e ashpër në reagimin e saj ishte deputetja, Kusari-Lila. Sipas saj, ajo asnjëherë nuk ka qenë me PDK-në, derisa tha se sa herë ka bërë ndryshime qytetarët e kanë përkrahur me votë.

“Ju ka mbetur vetëm ky argument me PDK-në nuk kam qenë kurrë, veç kemi bashkëqeverisë, bile as zyre të PDK-së kurrë nuk kam qenë… kam qenë anëtare e AKR-së, sot jam me Alternativen. Bashkëpunimet politike janë në funksion të asaj që duhet me nxjerr sa më shumë rezultate pozitive për këtë vend. Sa herë e kam bërë një ndryshim kam dal te sovrani për kërkuar votën. As një pozitë të vetme nuk e kam marrë me matematika dhe kalkulime si disa këtu. Nëse ata që më kanë mbështetur më mbështesin ajo është çështje e dikujt tjetër”, tha ajo./kp