Vetëm 15 pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive me COVID-19, ku dy prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje kritike. Katër persona janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërsa nëntë janë në gjendje stabile. Nga kjo Klinikë sot janë liruar 18 pacientë të shëruar nga koronavirusi.

Infektologu Valbon Krasniqi, teksa tregon për gjendjen e pacientëve, thotë se vendi po shkon drejt fundit të kësaj pandemie.

Megjithatë, ai apelon që edhe më tutje qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara dhe të evitojnë grumbullimin në masë.

Ditëve të fundit janë shënuar numër i vogël i rasteve të reja me COVID-19, e që sipas Krasniqit trendi është se po shkohet drejt fundit të kësaj pandemie.

Megjithëse ka numër të vogël të rasteve të reja me COVID-19, Krasniqi apelon që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara dhe të rrinë në shtëpi.

Ai thotë se është shumë e rëndësishme që edhe më tutje të evitohen grumbullimet në masë dhe kur të dilet nga shtëpia të jenë të pajisur me masa mbrojtëse.

Infektologu Valbon Krasniqi, deklaron se mund të pritet që gjatë sezonit të ardhshëm të dimrit të ketë një valë të dytë të të infektuarve me COVID-19, por që thotë se mbetet të shihet.

Deri më tani në Kosovë janë 854 raste të konfirmuara me COVID-19, ndërsa janë shëruar 490 persona dhe 26 persona kanë vdekur.