Syla: I kemi në dispozicion tre reparte me 60 shtretër në Qendrën Mjekësore të Forcës

Syla: I kemi në dispozicion tre reparte me 60 shtretër në Qendrën Mjekësore të Forcës

Dhjetëra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët janë në vetëizolim pritet të kthehen nesër në vendin ku shërbejnë.

FSK kishte dërguar në vetëizolim 55 pjesëtarë, prej të cilëve vetëm shtatë prej tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe një javë meqë u duhet të përfundojnë periudhën që u rekomandohet për vetëizolim.

Në kazermat e FSK-në nuk është identifikuar ndonjë i prekur me Covid-19, veçse dy raste janë shënuar në Ministri të Mbrojtjes, të cilët janë vetëkarantinuar dhe gjendja e tyre raportohet të jetë stabile.

Drejtori i Qendrës Mjekësore të Forcës, Shkëlzen Syla, tha për KP, se izolimi i dhjetëra pjesëtarëve të FSK-së ishte bërë meqë të njëjtit kishin shërbyer në transportin e personave që vinin nga diaspora.

Syla tha se gjatë kësaj periudhe kanë bërë mobilizimin brenda objektit dhe hapësirës së Qendrës Mjekësore të Forcës, duke e bërë testimin dhe aktivizimin e të gjitha pajisjeve, filluar nga shërbimi i radiologjisë, laboratorit dhe ai i emergjencës.

Në këtë qendër janë aktivizuar tre reparte dhe 60 shtretër.

Sipas urdhëresës së komandantit, ne tashmë i kemi në gatishmëri tre reparte, 60 shtretër për nevojat që do të paraqiten për personelin e FSK-së apo sipas nevojës dhe urdhëresës edhe për raste të tjera. I kemi ekipet tona mjekësore në gatishmëri 24 orëshe brenda kazermave dhe kujdesemi për shëndetin e pjesëtarëve të Forcës dhe sipas nevojave në përkrahje të institucioneve të tjera”, tha ai.

Sipas urdhëresës së komandantit të Forcës, janë vënë në gatishmëri njësitë e FSK-së në të gjitha kazermat me kapacitetet e nevojshme.

 

“Gjatë kësaj periudhe kemi përgatitur njësitet shtesë, mjekësore në të gjitha kazermat, kemi ngrit ur edhe nga tre njësite të vogla shtesë mjekësore, kemi bërë një trajnim shtesë për personelin mjekësor me qëllimin më të mirë që t’i njoftojmë për të gjitha masat e duhura për menaxhimin e kësaj situate dhe për masat mbrojtëse për personelin mjekësor dhe personelin tjetër të FSK-së”, theksoi Syla.

Njësitë mjekësore të FSK-së tashmë janë në gatishmëri që në rast nevoje, të përkrahin institucionet tjera civile.

Ndërkohë që deri tani, disa njësi të FSK-së kanë shërbyer në përkrahje të institucioneve tjera, ku në mënyrë aktive kanë realizuar transportin e qytetarëve nga diaspora përmes aeroportit dhe në zonat kufitare.

Komandanti i Regjimentit të Mjekësisë, major Adem Preteni tha se të gjithë pjesëtarët e Forcës, por edhe të tjerë që hyjnë në kazermë, ekzaminohen para hyrjes në objekt, dhe pasi të dalin.

 

Gatishmëria është e mirë, nuk kemi deri tani ndonjë problem. Të gjithë pjesëtarët janë të stërvitur, të trajnuar dhe janë të motivuar për të kryer detyrat e tyre. Kemi raste që pjesëtarët tonë shërbejnë vullnetarisht, edhe pse e kryejnë ndërrimin, shërbejnë vullnetarisht, e mbajnë edhe një ndërrim edhe një tjetër për të qenë sa më afër qytetarëve dhe sa më të gatshëm për të kryer detyrën”, tha Preteni.

Një tendë e tillë, në të cilën kryhen ekzaminime mjekësore, është e vendosur në çdo kazermë të FSK-së, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të pjesëtarëve.