Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, ka kthyer sërish çështjen e privatizimit të Telekomit. Teksa në Qeverinë̈ Kurti nuk ishte paraparë privatizimi i kësaj ndërmarrje publike në asnjë pikë në programin qeverisës, në pikën 5.7 të programit të Qeverisë Hoti është theksuar edhe privatizimi apo shitja e aksioneve të ndërmarrjeve publike, përfshirë këtu edhe Telekomin.

“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet përformanca në mënyrë̈ që të rritet atraktiviteti për investitorë̈ strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në pikën për Telekomin, në programin e Qeverisë”,  Hoti.

E lidhur me privatizimin e Telekomit të Kosovës, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi thotë se qëllimi i tij karshi kësaj ndërmarrje është rritja e përformancës me mekanizmat ekzistues.

Ai thotë se fillimisht duhet të zgjedhin bordin e rregull,t pasi kjo ndërmarrje telefonike funksionin me bord të përkohshëm që ka mandat vetëm 6 muaj.

“Ne do të shkojmë me një proces ligjor me radhë duke matur përformancën e tyre duke pasur një fiziblitet apo analizë të thellë në këtë ndërmarrje pastaj elementet tjera që janë me rëndësi, do debatojmë në qeveri dhe pastaj do marrim një vendim…Këto ndërmarrje funksionojnë me borde të përkohshme që kanë mandat vetëm 6 mujor dhe ne jemi të obliguar me i zgjedh bordet e rregullta, pastaj menaxhmetnin brenda këtyre ndërmarrjeve dhe të shikojmë performancën..Unë mendoj që e para duhet ta rregullojmë sa është e mundur përformanca e kësaj ndërmarrje e pastaj paralel të shikojmë privatizimin, por pa e rregulluar çështjen e performancës së kësaj ndërmarrje nuk kisha marrë këso veprimi…E imja si ministër dhe kësaj qeverie është ta rrit përformancen e kësaj ndërmarrje me mekanizma ekzistues aq sa është e mundur, nëse nuk është e mundur, atëherë duhet me u marrë edhe vendime tjera”, tha ai,

Kurse, përfaqësuesin e Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa thotë se fillimisht para se të mendohet privatizimi i Telekomit, duhet të bëhet një analizë për të parë koston dhe përfitime e më pas të vazhdon tutje.

Ai thotë se nëse privatizimi i kësaj ndërmarrje është fitimprures, natyrisht që duhet të ndodhë. Megjithatë, ai insiston që privatizimi duhet të ndodhë vetëm pjesërisht.

“Një privatizim i pjesshëm nëse vinë fondet e ristrukturimit dhe bëhet një privatizim i pjesshëm, jo shumica e aksioneve por i pjesshëm do jetë i dobishëm, por duhet të bëhet një studim fizibilitetin si për heqjen nga privatizimi, ashtu edhe për futjen në privatizim. Duhet me i pa kostot dhe përfitimet dhe nëse përfitimet janë më të mira për shoqëri pse mos të privatizohet, nëse përfitimet janë më të mira me e larguar nga privatizimi, mund ta mbajë me buxhet, atëherë le të mbahet. Duhet me analiza me fol, jo nga prizmi politik…Patjetër që duhet me u bë ajo ka ngecur në aspektin teknologjik, në aspektin e produkteve, në aspektin e konkurrencës, patjetër duhet me bë por tash duhet të analizohet dhe duhet të bëhen disa prej investimeve dhe të rritet vlera e Telekomit dhe pastaj të shkohet në privatizim, apo të gjendet një partner me të cilin për shembull Banka Evropiane për Rindërtim siç ka qenë i cili investon disa mjete bëhet një privatizim i përsëritshëm dhe mandej shkon në privatizim”, tha ai.

E për njohësin e çështjeve ekonomik, Bardh Ahmeti është koha e fundit që të ndodhë privatizimi i kësaj ndërmarrje telefonike.

Ahmeti ka propozuar që karshi kësaj kompanie qeveria të bëjë një ristrukturim të ndërmarrjes, të rris investimet kapitale në ndërmarrje, të ulë në masë të madhe shpenzimet etj.

“Është koha e fundit që Telekomi i Kosovë të privatizohet sidomos pas diskutimeve të fundit që kanë qenë rreth qëndrueshmërisë së saj. Të gjitha teoritë e konfirmojnë dhe shembujt nga vendet e rajonit që kanë trashëguar sistem të ekonomisë së shoqërisë vendet socialsite tregojnë se ndërmarrjet publike janë më efikase nëse privatizohen. Suksesi afarist i tyre është më i madh dhe më i garantuar nëse udhëhiqet nga sektori privat. Prandaj besojmë që kjo iniciativë është e duhur megjithatë kërkohet përkushtim i madh, të mos bëhen hapa të ngutur të kalojmë përmes një procesi të paraprivatizimit ku qeveria si aksion merr disa hapa të ngritjes së vlerës fillimisht dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjes publike të Telekomit, pastaj të hyjë në procesin e privatizimit….Propozojmë që qeveria e re e Kosovës të bëjë një ristrukturim të ndërmarrjes, të rris investimet kapitale në ndërmarrje, të ulë në masë të madhe shpenzimet, të bëjë gjithashtu edhe një rishikim të burimeve njerëzore meqenëse pritet për një mbipunësim të lartë disa të punësuar të riedukohen drejt orientimeve të tyre strategjike që do përcaktohen në vitet e ardhshme”, tha ai.

Telekomi i Kosovës iu është nënshtruar dy proceseve të privatizimit, por që asnjë nuk është finalizuar me sukses./kp