Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit ka ndarë 400 mijë euro për pastrimin e Qendrës Transfer në lagjen “Ali Ibra”, dhe rehabilitimin e tërësishëm të kësaj hapësire.

Ministri i Ekonomisë dhe Mjedisit, Blerim Kuçi, derisa sot ka qëndruar për vizitë në Gjakovë bashkë me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit do ndodhë bashkëfinancimin i këtij projekti.

Me këtë rast, i pari i Ekonomisë në vend, tha se e kanë parë si emergjencë këtë projekt, prandaj edhe kanë ndarë mjete, si dhe është paraparë që edhe në kornizën afatmesme buxhetore të vitit të ardhshëm të ndahet buxhet për trajtimin e kësaj qendre.

“Ne kemi paraparë në kornizën afatmesme buxhetore për vitin e ardhshëm të ndahet buxhet për trajtimin e kësaj qendre edhe pas largimit të mbeturinave…Kjo është në interesin e qytetarëve të Gjakovës ka qenë prioritet dhe emergjencë e kam trajtuar si komunitet dhe emergjencë“, u shpreh Kuçi.

Falënderues për këtë ndihmës ishte kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit rehabilitimin e Qendrës Transfer në lagjen “Ali Ibra”, ka ndarë 400 mijë euro.

“Sot e kemi nënshkruar një memorandum pas të cilit ministria na ndihmon me 400 mijë euro që gjatë këtij viti ta pastrojmë komplet qendrën transfer dhe ta sjellim në gjendje normale. Ministri ka premtuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të kemi edhe një pjesë të mjeteve që nuk është kaq e madhe, por e mjaftueshme që qendrën ta rahabilitojmë plotësisht dhe ta kthejmë në gjendjen çfarë duhet me qenë“, tha Gjini.