Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi sot ka vizituar komunën e Deçanit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj. Nga aty Kuçi tha se janë në përfundim të hartimit të projektit hapësinor për parkun nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Kuçi tha se krahas këtij projekti kanë biseduar edhe për investimet në shtratit të Lumbardhit si dhe rrjetin e ujërave të zeza.

“Kemi diskutua për një temë që është e patjetërsueshme që është hartimi i planit hapësinor apo rregullatori i parkut nacional Bjeshkët e Nemuna, ndërsa kemi në përfundim dhe po presim miratimin edhe interesat e komunitetit të Deçanit që qytetarët me u fut në këtë plan hapësinor dhe me shkua drejt Kuvendit. Kemi bisedua edhe për kompaninë Higjiena që është në Deçan shpresoj që do ta gjejmë një mundësi për ta përfunduar projektin i cili është në proces të ndërtimit”, tha ai.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për tema të rëndësishme që ndikojnë në mirëqenien e deçanasve.

Derisa e falënderoi për investimet që po bëhen në shëtitoren në Lumbardhë, Ramosaj tha se me ministrin Kuçi biseduan edhe rreth projektit për parkun nacional si dhe për liqene akumuluese të cilat do zgjidhnin problemin e ujit të pijes dhe ujitjes.

“Kemi biseduar rreth temës për parkun nacional dhe kanalizimit e ujërave të zeza dhe një sëre projektesh tjera për liqenet akumulues të cilët do e bënin edhe zgjidhjen e ujit të pijes dhe të sistemit të ujitjes së pronave bujqësore”, tha ai.

Përveç vizitës në komunë, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi i shoqëruar nga i pari i Deçanit, Bashkim Ramosaj inspektuan edhe punimet në qendrën e kësaj komune, si dhe vizituan ndërmarrjen publike lokale “Higjiena”.