​Kurti flet për takimet dhe diskutimet që kishte në Greqi

Kryeministri, Albin Kurti është deklaruar pas takimeve dhe diskutimeve që kishte në Greqi.
Kurti ka thënë se siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që kishte gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik, në qytetin antik Delfi, në Greqi.
Kryeministri ka shkruar në ”Facebook” se në ditën e parë të Forumit u takua me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq si dhe me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSWF), z.Duncan Bonfield.
Në ditën e dytë u takua me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z.Miroslav Lajçak, me zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar dhe me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, z.Christos Copelouzos.
Kurti ka bërë  me dije se ka zhvilluar takime të ndara kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z.Nikos Dendias./21Media

Back to top button