Halili: Sot një muaj Vitia është futur në karantinë

Halili: Sot një muaj Vitia është futur në karantinë

Në vazhdën e vizitave nëpër komuna, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka qëndrua edhe në Viti, ku edhe ka inkurajuar kryetarin e kësaj komune për respektim të masave parandaluese të pandemisë Covid-19 për të dalë nga kjo krizë shëndetësore.

“Me katër të infektuar dhe tre të shëruar nga Covid 19, një muaj pasi që rasti i parë u shfaq në komunën e Vitisë është dëshmi e masave të ndërmarra dhe vendimeve të zbarkuara, si dhe e udhëzimeve të respektuara. Pas komunës së Lipjanit dhe Ferizajt erdhëm në komunën e Vitisë ta vizitojmë kryetarin Haliti, edhe ta falënderojmë për punën që ka bërë, por edhe ta inkurajojmë që në muajin prill ta shtojmë vigjilencën dhe disiplinën, dhe të dalim nga kjo krizë shëndetësore bashkërisht me sa më pak pasoja”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti tha se ka informuar Kurtin për gjendjen e pandemisë në Viti, ku kjo komunë ka qenë e para e prekur me Covid 19.

Haliti beson se shumë shpejt do të dalë nga karantina edhe fshati Stubëll.

“Kemi qenë komuna e parë e prekur me koronavirus, pas ardhjes së 77 vjeçarit nga Italia i prekur me Covid 19 dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të kësaj familjes. Por, tash për fat të mirë, e kemi numrin e tre të shëruarve dhe katër të tjerë që i kemi ende në trajtim dhe presim rezultatet të dalin negativë sepse shëndeti tyre është i mirë. Dhe shumë shpejt presim që edhe ata të shërohen në mënyrë që edhe Stubllën ta lirojmë nga karantina, pasi që sot një muaj Vitia është futur në Karantinë. Kështu që po presim ditë më të mira duke i respektuar masat, rregullat, vendimin e qeverisë dhe masat tjera që i kemi aplikuar si komunë”, tha Haliti.

I shoqëruar me kryeministrin në këtë vizitë ishin edhe ministrat Lumir Abdixhiku dhe Emilia Rexhepi.