Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur “Ditën e Mërgatës”, por kësaj radhe takimet po realizohen online.

Përmes një shkrimi në Facebook, VV-ja ka njoftuar se gjatë ditës së shtunë,kanë zhvilluar një sërë takimesh virtuale me mërgatën, me ç’rast i kanë njoftuar mbi historikun, aktivitetin, por edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! informoi bashkëbiseduesit nga mërgata për situatën politike në vend, për 100 ditëshin e qeverisë së mirë, për rëndësinë dhe mbështetjen e madhe për peticionin ”Duam Zgjedhje!” si dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale e hapat e metutjeshëm të organizimit tonë në mërgatë dhe në Kosovë. Me një interesim të jashtëzakonshëm, mes qindra kërkesash për pjesëmarrje në këtë takim virtual, këtë herë nuk arritëm që t’i përfshijmë të gjithë bashkatdhetarët në këtë bisedë për çka edhe ju kërkojmë ndjesë, ndërkaq ju njoftojmë që së shpejti Lëvizja do organizojë takime të ngjashme përsëri për të cilat do t’ju tregojmë me kohë. Lëvizja VETËVENDOSJE! i është përherë falenderuese mërgatës për kontributin dhe rolin pashoq të saj që ka në raport me Kosovën, atdheun tonë të përbashkët”, thuhet ndër të tjera në njofitmin e VV-së.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari Albin Kurti, Sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi dhe deputetja Fitore Pacolli, ndërsa takimi u moderua nga Lirika Komoni, Koordinatore e qendrave në mërgatë. /21Media