KOSTT fiton të drejta të barabarta me homologët në Evropë

KOSTT fiton të drejta të barabarta me homologët në Evropë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja e re e kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTOS-E, do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se me këtë marrëveshje KOSTT fiton të drejta të barabarta me homologët në Evropë.

Kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Interkonjeksioni, linja 400Kv midis nesh do të funksionalizohet. Për ndërtimin e saj ndihmoi e investoi mbi 75 milionë euro Qeveria gjermane nëpërmjet KfW. Por prej më shumë se 6 vjetësh kjo linjë nuk mund të funksionalizohej. Si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të lart“, ka shkruar Kurti.

Ai falënderoi të gjithë Operatorët Evropianë që votuan për këtë marrëveshje.

Duke shprehur mirënjohje për punën e bërë, presim nga KOSTT përkushtim të plotë në proceset rajonale për të kontribuar në furnizim të sigurt me energji. Po ashtu, KOSTT dhe OST e Shqipërisë tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për operimin si një bllok energjetik, marrëveshje që i parapriu votimit të sotshëm, andaj duhet të pasojnë edhe hapa të tjerë domethënës“, përfundoi kryeministri në detyrë./21Media