Ka nisur sot edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2021, që këtë vit temë do të jetë Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe pesë komponentët kryesorë të kësaj agjende.

Në hapje të këtij edicioni, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është pjesëmarrëse në këtë aktivitet për të konfirmuar se do ta kenë mbështetjen e saj për të avancuar agjendën e gjelbër.

“E para për t’iu konfirmuar se do të keni përherë mbështetjen time për të avancuar agjendën e gjelbër në Kosovë. Të flasësh për agjendën e gjelbër është e ardhmja dhe në këtë aspekt duhet të drejtohet stili jonë i jetesës. Ne besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë në jetësimin e saj. Ky është veprimi më i mençur. E ardhmja është e gjelbër”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndikimi i pandemisë në ekonominë e Kosovës e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë.

“Ndikimi i pandemisë në ekonominë tonë e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë. Ne po punojmë. Mbështetja e të rinjve dhe grave, ndërlidhja e tregut me aftësimin profesional, banimi social janë disa nga politikat të cilat do të adresojnë nivelin e lartë të papunësisë e te varfërisë. Të gjithë e dimë se si njeriu i varfër kollaj sëmuret, e ai i sëmuri lehtë varfërohet. Ndër prioritetet janë sigurimet shëndetësore për të gjithë. Resurset natyrore, lumenjtë do t’i trajtojmë me kujdes”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se menaxhimi i mbeturinave mbetet një ndër sektorët më të pazhvilluar në Kosovë.

“Kur flasim për zhvillim të qëndrueshëm nuk mund te mos flasim për arsim. Pa arsimin cilësor nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm”, ka theksuar ai./KP