Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe adhuruesit e artit të tij, me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit të njohur të humorit shqiptar Koço Devole.

Ai ka thënë se humori i Koço Devoles ishte i punuar me kujdes dhe gjuhë popullore, por që asnjëherë nuk binte pre e klisheve bajate apo imitimit banal.

“Rrallë merrej ai me individë, sepse kishte aftësinë të karikaturizonte fenomenin, pa u bërë megjithatë skolastik apo skematik. Të tillë autorë të humorit, gjithnjë janë të rrallë, dhe shpresoj të jetë frymëzim për humoristët e gjeneratave të reja”, shkruan Kurti në Facebook.

Mësova me dhimbje lajmin e vdekjes së aktorit e autorit të humorit shqiptar, Koço Devoles, i cili prej disa ditësh ishte…

Posted by Albin Kurti on Sunday, November 8, 2020

75-vjeçari Devole ndodhej prej disa ditësh në spital për shkak të virusit vdekjeprurës, por gjendja e tij u përkeqësua.

Ai konsiderohet një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Ai njihet për rolet e tij në telefilmat humoristik “Çanta e zezë”,“Çanta me një million”, “Pushime në Romë” etj.