Kurti ka vizituar sot Gjilanin

Kurti ka vizituar sot Gjilanin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e së martës e ka nisur ditën në komunën e Gjilanit. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi u priten nga kryetari, Lutfi Haziri në Shtabin Emergjent të Gjilanit. Aty u njoftuan nga afër për gjendjen dhe masat e ndërmarra nga komuna në parandalimin e pandemisë Codiv-19.

Kurti, ka thënë se muaji prill është vendimtar për të dalë nga kriza shëndetësore pandemike.

Ai theksoi gatishmërinë dhe vullnetin për të shtyrë në kohë sa më shumë lakoren e shpërndarjes së Covid-19. “Jemi të gatshëm, të interesuar të vullnetshëm që këtë lakoren e shpërndarjes së Covid 19 të shtyjmë sa më shumë në kohë. Ngritjen e saj të bëjmë sa më të pakët në mënyrë që të parandalojmë këtë pandemi që iu mori jetën tre qytetarëve. Organizimi ynë, edhe qendror, edhe lokal, është shembullor dhe këtë po e thonë edhe të tjerët. Duhet të vazhdojmë edhe në muajin prill. Sepse muaji prill është muaj vendimtar që nga kjo krizë shëndetësore të dalin sa më shpejt dhe sa më pak dëme”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se falë koordinimit ndërinstitucional kanë arritur të menaxhojnë rastet në komunën që ai drejton.

Derisa u shpreh se i ka paraqitur gjitha kërkesat e komunës, kryeministrit në detyrë, Kurti. “Në 15 rastet që i kemi menaxhuar deri tash tre i kemi të shëruar, e njoftova kryeministrin. Tendenca është në rënie e kemi lokalizuar dhe po e menaxhojmë këtë infeksion në vendet ku është gjetur deri tash… Problemet shtesë veçse i nënvizova. E njoftova kryeministrin se Gjilani e ka një problem prej qershori të vitit të kaluar për thatësinë e ujit. Jemi që 10 muaj me problemin e furnizimit me ujë. Në kushtet ku kërkohet higjienë qytetarët e Gjilanit e kanë një problem”, ka thënë Haziri.

Mbi kërkesat e të parit të Gjilanit, kryeministri në detyrë, theksoi se ka mbajtur të gjitha shënimet. “Unë edhe kam dëgjuar me kujdes dhe kam mbajtur shënime”, ka thënë Kurti.

Kurti mes tjerash në Gjilan foli edhe për masat e kufizimit të lëvizjes, derisa bëri të ditur se sot gjatë mbledhjes së qeverisë pritet te merret një vendim i ri për kufizimin e lëvizjes.

“Lidhur me atë se si do të vazhdohet me masat në vijim. Në mënyrë që të kemi kufizimin e lëvizjes. Sepse lëvizja e njerëzve potencialisht është lëvizje e virusit. Por në anën tjetër të krijojmë hapësirë për bizneset tona”, ka thënë Kurti.