Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot është shprehur i prerë sa i përket zbatimin të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 4 shtator në Washington.

Ai ka deklaruar se kur partia e tij të kthehet në qeverisje, nuk do të respektojë marrëveshjen, pasi që ajo është nënshkruar nga një kryeministër jo legjitim.

“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë. Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.