Kërkon komentet e palëve rreth masës së përkohshme

Kërkon komentet e palëve rreth masës së përkohshme

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pranuar sot në orën 12:03, një kërkesë të parashtruar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që për objekt të shqyrtimit ka “vlerësimin e çështjes së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”.

Gjykata thotë se përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, presidenti i Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata që të “vendosë masë të përkohshme ndaj çështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar”, përmes së cilës do të pezullohej zbatueshmëria e vendimit të lartcekur të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Gjykata ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 24 mars 2020, deri në orën 22:00;

“Komentet përkitazi me kërkesën në përgjithësi, t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit për regjistrimin e kërkesës. Njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Zyrës së Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit. Duke pas parasysh situatën ekzistuese në të cilën ndodhet vendi ynë, Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet të lartë”, thuhet në njoftim.