Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Nicholas Abbott, tha se rekrutimi ka nevojë për përmirësim të mëtejmë.

“Me kënaqësi të veçantë nënshkruam marrëveshjen e mirëkuptimit për rekrutim, e cila ka nevojë për përmirësim të mëtejmë. Nepotizmi dhe korrupsioni si probleme të mëdha në Kosovë, këto probleme nuk mund të zgjidhen nga jashtë, por vetëm me vullnet të brendshëm. Jam i vetëdijshëm që kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë, por është parakusht. Projekti ofron mbështetje, por emërimi iu takon institucioneve. Këtu më lejoni të ripërsëris që e ka thënë edhe paraardhësi im, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, por edhe dështimet do të jenë të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Kemi përvojën e hidhur, kur janë emëruar individ që nuk kanë përmbushur kriteret. Në raste të tilla do të reagojmë, sepse një gjë e tillë është e pandershme. Korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë dhe një javë, por një kohë të gjatë dhe gjithmonë”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky bashkëpunim është si vullnet i dyanshëm në mes të dy vendeve.

“Memorandumi është vullnet i dyanshëm, përmes këtij partneriteti ne synojmë të rritim transparencën në udhëheqjen e bordeve dje ndërmarrjeve të tjera të pavarura. Pozitat e parapara janë kryesisht nën udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës. Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione, ku në disa është për borde e disa për kryeshefa. Puna e kompanisë së përzgjedhur do të ndikohet edhe nga pandemia, por do të sigurohemi që këta ekspertë që do të ndihmojnë të jenë prezentë. Të sigurohemi që profesionistët ta marrin votën e deputetëve të Kosovës”, tha ajo.