Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, njoftoi se kanë dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për të kaluar në lexim të dytë Projektligjin për rimëkëmbje Ekonomike.

Seanca është ftuar për ditën e premte në ora 11:00.

“Në emër të deputetëve nënshkrues, dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për të kaluar në lexim të dytë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Seanca do të mbahet ditën e premte në ora 11:00”, shkroi Gashi.

Ky projektligj do të shkojë në kryesinë e Kuvendit pa miratimin e disa prej komisioneve.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Legjislacion nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje për Raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Ndërsa, Komisioni për Integrime Evropiane, që gjithashtu shqyrtoi sot këtë projektligj nga aspekti i përputhshmërisë së tyre me legjislacionin e BE-së, e mbështeti dhe vendosi t’i procedojë tutje sipas Rregullores së Kuvendit.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 12 tetor me 64 vota “për” miratuan në parim projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Në tentimin e shtatë koalicioni i shumicës parlamentare ka arritur të sigurojë votat e nevojshme. Ndërsa dy partitë opozitare, LVV e PDK nuk votuan.

Ndryshe në këtë projektligj është paraparë edhe tërheqja e mjeteve të Trustit nga ana e qytetarëve.