​Lajçak dhe Escobar takohen me përfaqësuesit e Listës Serbe

I dërguari i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel  Escobar dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kanë takuar sot përfaqësuesit e Listës Serbe.
Në një komunikatë për media të Listës Serbe thuhet se kreu i kësaj partie Goran Rakiq gjatë takimit me dy emisarët ndërkombëtarë vuri në dukje “obligimet” e Prishtinës për asociacionin.
“Rakiq theksoi se marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton synimet e Prishtinës për t’i reduktuar obligimet e tyre sa i përket kompetencave të asociacionit të komunave me shumicë serbe, sikurse ato në fushën e gjyqësorit, energjetikës, diplomave dhe realizimit të vizitave për serbët në këto rajone”, thuhet ndër tjera në komunikatë.
Në një postim në Twitter, diplomati Lajçak ka shkruar se ai dhe Escobar takuan sot partitë politike opozitare në Kosovë.
“Me kënaqësi dëgjova mirëkuptimin e tyre për rëndësinë dhe mbështetjen për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar diplomati sllovak.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se asociacioni serb nuk ishte në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.

Back to top button