​Lajçak sot mbyll vizitën në Kosovë, dialogu e të pagjeturit në fokus të vizitës treditore

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, sot do të mbyllë vizitën e tij treditore në Kosovë.
Mëngjesin e sotëm është paraparë të mbahet një konferencë për media në prag të largimit të tij.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak ka takuar kryeministrin Albin Kurti si dhe liderët e partive opozitare parlamentare në selitë e tyre respektive.
Megjithatë, para se të lë përfundimisht Kosovën, Lajçak do të ndalet edhe në pjesën veriore të vendit.
Zyra e Bashkimit Evropian, por edhe ajo e Lajçak, janë rezervuar për të treguar agjendën e vizitës atje.
Në qendër të vizitës së tij ishte padyshim dialogu por edhe çështja e mbi 1600 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Për këtë të fundit, pati një vizitë në muzeun e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë, zhvilloi një takim në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur si dhe mori pjesë në shfaqjen e një filmi që tregon historitë e personave të pagjetur.

Back to top button