Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi për dialogun duhet të prodhojnë rezultate pozitive

2 min read

 

Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak ka takuar sonte kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, me të cilin ka biseduar mbi vazhdimin e dialogut në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.

Diplomati sllovak në një prononcim për media ka thënë se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë.

“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, ka thënë Lajçak.

Ai ka thënë se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Lajçak sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila përçoi mesazhin te diplomati sllovak se dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke Kosovës-Serbi.