​Latifi tregon objektivat kryesore për avancimin e sistemit shëndetësor

 
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi mori pjesë sot virtualisht në Konferencën e 11-të Ndërkombëtare Evropiane në Kopenhagë, ku të pranishëm ishin përfaqësues diplomatik të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të ftuar të tjerë specialë nga vende të ndryshme të botës.
Kjo konferencë u organizua nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë me temë “Mjekësia në Danimarkë flet Shqip”.
Ministri Latifi në adresimin e tij foli për sistemin shëndetësor në Kosovë, zhvillimin, planet dhe synimet e tij për vitet në vijim.
Ai theksoi se në agjendën e tij të punës dhe të avancimit të sistemit shëndetësor janë shtatë objektiva kryesore, e në mesin e tyre janë edhe krijimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, Sigurimet Shëndetësore, krijimi i Qendrës së Traumës, Qendrave Ekselente të Kujdesit Shëndetësor, etj.
“Një çështje tejet me rëndësi që Ministri Latifi e potencoi në këtë konferencë ishte edhe kthimi i “trurit” dhe bashkëpunimi i profesionistëve shëndetësor shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën e tyre të kontribuojnë në Kosovë, për të ndihmuar përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor kosovar”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook.
Përndryshe, në këtë konferencë, përpos temës kryesore u diskutua edhe për menaxhinin e urgjencave mjekësore dhe tematika të tjera nga shëndetësia./21Media

Back to top button