LDK dorëzon ankesë në Supreme për anulimin e fletëvotimeve me postë në Dragash
Vendim skandaloz dhe të paprecedent po e quan Lidhja Demokratike e Kosovës, atë të PZAP-së për anulimin e fletëvotimeve përmes postës në Dragash. Anulimi i këtyre votave, sipas kësaj partie, është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit. LDK gjatë ditës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, bashkangjitur edhe me 200 dëshmi nga votuesit nga mërgata. Vet kandidati për kryetar i kësaj partie ka deklaruar se iu është marrë fitorja nga tavolina.
Zëdhënësja politike në LDK, Sibel Halimi tha se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të raundit të parë nga KQZ.
“Sot LDK ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën mbi vendimin skandaloz të PZAP dhe tre gjyqtarëve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetar në komunën e Dragashit. Dje në një vendim të pa-precedent për demokracinë dhe sistemin zgjedhor të Kosovës, tre gjyqtarë të PZAP-së kanë anuluar të gjitha votat e mërgatës, të gjitha pa përjashtim pa kontaktuar, pa verifikuar e pa kërkuar të vërtetën në Dragash”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se vendimin e PZAP-së do ta adresojnë në misionet ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve, si sulm i paprecedent të demokracisë.
“Provimi i anulimit është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë. LDK ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit, në mërgatë për votat e tyre në raundin e dytë. Po ashtu, ka dorëzuar edhe gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit zgjedhor e vullnetit qytetar”, ka shtuar ajo.
E kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Dragashin, Bexhet Xheladini ka deklaruar se fitorja e tij është marrë nga tavolina.
“Ne kësaj ankese ia kemi bashkangjitur të gjitha provat të cilat vërtetojnë se procesi zgjedhor nga ana e mërgatës tonë ka qenë plotësisht e rregullt dhe i pastër si loti. Ne kemi përgatitur një dosje shumë të gjerë, në të cilën kemi dëshmuar dhe dëshmojmë para Gjykatës Supreme se vendimi i PZAP-së nuk ka qenë i drejtë dhe skandaloz, për arsyeje se mua mu ka marrë fitorja në tavolinë. Ne kësaj ankese përveç tjerash ia kemi bashkangjitur edhe 200 deklarata të votuesve tanë të mërgatës, të cilët pas këtij vendimi kanë qenë të shqetësuar”, ka deklaruar ai.
Këta votues, Xheladini tregoi se përmes rrjeteve sociale u kanë dërguar deklarata të cilat janë dërguar në Gjykatën Supreme.
PZAP-ja ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve. Pas numërimit të votave nga diaspora, Bexhet Xheladini nga LDK kishte marrë 244 vota, ndërsa Shaban Shabani vetëm 54, duke ndikuar në përmbysjen e rezultatit.