LDK ka kërkuar nga Kurti ta dënojë fushatën

LDK ka kërkuar nga Kurti ta dënojë fushatën

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të dënojë aktivistët e saj, të cilët po bëjnë fushatë linçuese kundër personaliteteve të SHBA-së.

LDK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se e dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personaliteteve të SHBA-ve.

“Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme. Fryma e fushatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së. LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb”, është bërë e ditur në komunikatën e LDK-së.

LDK ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, ta dënojë këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj.

LDK-ja ka theksuar më tutje se ShBA meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj.