Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se pas zhvillimeve të fundit rreth Speciales, vendi ynë po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.

Në një komunikatë për media thuhet se LDK po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

LDK beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë.

LDK është e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm.