Lidhja Demokratike e Kosovës informoi se në mbledhjen e sotme të kryesisë, me shumicë votash u morën disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, mori vendim që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së. Këto ekipe do të propozojnë mënyrat që do të ndiqen në procesin e reformimit të thellë të Degëve.”, u bë e ditur në komunikatë.

Procesi i reformimit, siç theksoi LDK, synon të riorgnizojë Degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“U aprovua propozimi i kryetarit për strukturën e re organizative:  Riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK; Në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike; Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim: Departamenti i Politikës së Jashtme; Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit; Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit; Departamenti i Shëndetësisë; Departamenti i Rinisë; Departamenti i Avancimit Shoqëror.”, u bë e ditur tutje  në komunikatën për media.

Sipas LDK-së, departamentet e cekura më lart, do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.