Gjendja e shqiptarëve në Kroaci, sfidat që ky komunitet ka në këtë shtet, bashkëpunimi mes Kosovës dhe Kroacisë, kanë qenë tema të diskutimit mes deputetes së Parlamentit të Republikës së Kroacisë Ermina Lekaj-Përlaskaj dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Ermina Lekaj-Përlaskaj, që tashmë për të tretën herë më radhë është deputete në Parlamentin e Kroacisë, tha se qëllimi i saj është të promovojë komunitetin shqiptar atje, të mbrojë interesat e komunitetit dhe të promovojë shtetin e Kosovës.

Ajo para deputetëve të komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Kroacisë në aspektin politik është në nivelin e duhur, por që tha se mungon bashkëpunimi ekonomik. Deputetja Lekaj-Përlaskaj tha se investitorët kroat nuk janë të sigurt që të investojnë në Kosovë.

Sipas saj, Kroacia si shtet i BE-së është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës që sa më shpejt të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Fushat kryesore për mendim timin sa i përket bashkëpunimit në aspektin politik, Kroacia dhe Kosova, janë në një nivel të duhur, ashtu e shoh unë. Mirëpo, këtu mungon bashkëpunimi ekonomik, këtu duhet edhe të kemi parasysh edhe çështjen në Kosovë, turbulencat që janë në Kosovë, si dhe mos përfillja të them ashtu të investitorëve që vijnë nga Kroacia, nuk e ndjejnë një siguri për investime që mund t’i bëjnë në Kosovë, pëlqimi është por nuk kanë siguri”, tha ajo.

Shqiptarja në parlamentin kroat ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në këtë shtet, derisa theksoi se si komunitet kanë dhënë kontribut shumë të madh si në ekonomi ashtu edhe në fusha të tjera.

Sfide e komunitetit tha se është që të rinjtë shqiptar që shkollohen të futen në sistem të punësimit në institucionet qendrore dhe lokale në Kroaci.

“Ajo çka është e rëndësishme tash për komunitetin tonë është që nëpërmjet shoqatave të arrijmë ta mbrojmë kulturën, traditën dhe gjuhën. Sa i përket ligjit kushtetues për pakicat në Kroaci është më të vërtetë në nivel, mirëpo varet sa ne bëjmë kërkesa dhe sa implementohet kjo. Unë si deputete jam në koalicion me qeverinë dhe aty e kam një marrëveshje ku kam bërë 7 kërkesa që janë enkas për komunitetin tonë. Me ardhjen time janë hapur tri qendra kulturore, besoj se do të hapen edhe tri në çdo qark ashtu është ideja që ta kemi një qendër kulturore shqiptare që komuniteti të mblidhet. Kemi 17 shkolla ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, një gjimnaz ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Në bashkëpunim me ambasadorin dhe fakultetin Filozofik jemi që të hapet edhe katedra e albanologjisë, mirëpo ajo duhet të shkojë një procedurë”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Time Kadrijaj, tha se shteti kroat ka përkrahur Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

“Ne presim shumë nga Kroacia, sepse Kroacia është një shtet i ri i BE-së. Ne kemi pasur mandatet e kaluara përvojë nga ekspertët e Kroacisë të cilët na kanë ndihmuar duke na sugjeruar si të arrijmë sa më lehtë në rrugën evropiane, duke na treguar për sfidat që ata i kanë kaluar, duke na udhëzuar për të gjitha ato ligje çka duhet të ndërmerr Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të mos kalojë nëpër sfidat të cilat ka kaluar Kroacia”, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, tha se Kosova është në një situatë jo të mirë sa i përket rrugës drejtë integrimit evropian, ajo tha se Kosova ka ngecur.

Pacolli tha se Kosovës i duhet ndihma edhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

“Neve na duhet që të bëjmë punë më shumë, në anën tjetër na duhet ndihma e Kroacisë e sidomos e deputetëve, në rastin ju kemi juve që të na vëni në kontakt sidomos me shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Neve na vyen që të zhvillojmë sa më shumë marrëdhënie formale dhe jo formale me këto shtete. Dy shtete të cilat janë në BE Polonia dhe Çekia ato e kanë njohur Kosovën mirëpo nuk kemi thelluar marrëdhëniet bilaterale me këto dy shtete, ndoshta ekziston mundësia që të bëjmë takime trelaterale ku është deputetë kroat, shqiptarë të Kosovës po ashtu edhe nga Rumania, Spanja, Sllovakia, me cilindo që ne mund të vejmë kontakt, sepse kjo është shumë e rëndësishëm që të fillojë të diskutoj me këto shtete që ato të na njohin”, tha ajo.

Anëtarët e komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i kanë dhuruar deputetes së Parlamentit të Republikës së Kroacisë Ermina Lekaj-Përlaskaj deklaratën e pavarësisë si dhuratë për vizitën e bërë.