Të drejtën e votimit si shtetas edhe i shtetit të Shqipërisë e shfrytëzoi edhe ministri i Planifikimit të Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu.

Pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë, anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje uroi që i tërë procesi i votimit dhe numërimit në Shqipëri të jetë në rregull.

“Uroj që të jetë çdo gjë e rregullt edhe në procesin e votimit dhe numërim”, tha ai për kp.

I pyetur për suksesin e mundshëm të tre kandidatëve të mbështetur nga partia e tij, Aliu u shpreh optimist.

“Shpresoj që po”, tha shkurt ai.

Ndryshe, 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vjetët e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.