Gjendja në arsimin e lartë ka qenë temë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Aty pyetjeve të deputetëve iu është përgjigjur ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili ka premtuar se nuk do të lejojë ndërhyrje në arsimin e lartë.

Deputetët kanë pasur ankesa sa i përket Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ndërsa ministri Likaj tha se nuk e di a ka ndërhyrje, por që ka premtuar se ai nuk do të lejojë ndërhyrje në këtë institucion.

Deputetët e Komisionit të Arsimit, kanë pasur ankesa sa i përket KSHC-së, derisa kanë paralajmëruar se këtë çështje mund ta ngritin edhe në nivel të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, tha se është shqetësuese mospërfillja e Komisionit për Arsim nga ana e KSHC-së. Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar një raport nga ky institucion, por që për më shumë se tri javë nuk kanë marrë përgjigje.

Edhe deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, tha se arsimi i lartë mund të jetë në krizë për shkak të egove të disa personave që janë në KSHC.

Sa i përket KSHC-së, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se procesi i akreditimit nuk bënë të dëmtojë institucionet dhe as studentët.

Deputeti i Vetëvendosjes Fitim Uka, ka kërkuar përgjigje nga ministri Likaj lidhur me emërimin e zëvendësministrit Driton Bardheci i cili nuk ka përfunduar studimet.

Likaj tha se zëvendësministri Driton Bardheci do të orientohet në zgjidhjen e problemeve të të rinjve të vendit, derisa ka thënë se ai është në përgatitje të temës së diplomës në dy universitete, një publik dhe një privat.

Sa i përket shtyrjes së mbajtjes së testit të maturës, ministri Likaj u shpreh se do të organizojnë këtë testim vetëm për studentët të cilët janë regjistruar në universitete jashtë Kosovës.

Kurse, sa i përket EQAR-it, ai tha se janë duke e pritur ftesën për EQAR, derisa tha se një pengesë që e kanë është funksionalizimi i komisionit të ankesave. Ai tha se pa u bërë ky funksionalizim nuk mund të pritet kthimi në EQAR. /kp