Kryetari i Nismës Fatmir Limaj ka folur rreth pjesëmarrjes së partive opozitare në delegacionin shtetëror të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ai në emisionin Debat në RTK e ka quajtur të nevojshme pjesëmarrjen e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e dialogut, duke thënë se beson se është koha që ato t’i bashkëngjiten tryezës së bisedimeve.

“Opozita duhet të jetë tani e tutje në delegacion shtetëror, pasi që pa një konsensus politik ajo nuk miratohet. Është kruciale që opozita të jetë e bisedimeve për marrëveshjen finale”, u shpreh Limaj.

Ai e ka pranuar se ka një betejë të brendshme politike në vend, të cilën e sheh si të rrezikshme për humbjen e momentumit të ri, i cili do të çojë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për njohje reciproke me Serbinë.