Sipas gazetarit italian, Fabio Santini, Liverpooli është një hap para të gjithëve për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly pas lëndimit të Virgil van Dijk.

Santini, një gazetar afër burimeve të Napolit përmes rrjeteve sociale ka raportuar për ekipet që janë në garë për mbrojtësin 29-vjeçar dhe se Liverpooli i prinë listës për shërbimet e tij.

“Vëmendje: Kam disa lajme të mrekullueshme rreth Kalidou Koulibaly. Manchester City dhe Manchester United janë pas mbrojtësit senegalez së bashku me PSG. Klubi që është duke shprehur interesimin më serioz është Liverpooli. Oferta e Liverpoolit drejt Napolit është një shifër rreth 70-75 milionë eurosh, shumë të cilën De Laurentiis (presidenti i klubit) po e kërkon”, tha Santini.

Pas lëndimit të mbrojtësit kryesor të Liverpoolit, yllit Virgil van Dijk, spekulimet veçse kanë filluar të shtohen për emrin e radhës që do ta zëvendësojë holandezin në repartin e mbrojtjes, ku Koulibaly dhe Upamecano së bashku me Ben White të Brightonit janë emrat më të përfolur.