Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për arritjen e marrëveshjes mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe atij të LSDM-së Zoran Zaevit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Ai në një postim në Twitter e ka konsideruar këtë një ditë të shënuar për shqiptarët.

“Ditë e shënuar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që falë marrëveshjes me fituesin e zgjedhjeve, Zoran Zajev, marrin një peshë të re në jetën politike të vendit fqinj. Urime të gjithëve, veçanërisht Ali Ahmetit, që me urtësinë e lidershipit të tij në vite ka bërë kaq shumë”, shkruan Rama.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në mandatin e ri qeverisës, ndërsa në 100 ditët e fundit të mandatit kryeministri do të zgjidhet nga partia e Ali Ahmetit.

Kjo është bërë e ditur nga ana e kryetarit i LSDM-së Zoran Zaev, pas zyrtarizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje LSDM-BDI.

Ai tha se me partinë e Ali Ahmetit janë pajtuar që 100 ditë e fundit të qeverisë, kryeministri të propozohet nga BDI.

“Qeveria e Përzhinës më s’do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por, kur vinë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, ka thënë Zaev.