Ushtarët italianë të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë i dhuruan 35 laptopë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si një kontribut në zhvillimin e mësimit në distancë për shkollat në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka falënderuar shtetin italian për këtë ndihmë, e cila tha se do t’u shërbejë zyrtarëve të MASH-it t’i kryejnë punët shtesë.

Ai tha se Qeveria e Kosovës dhe ministria e Arsimit kanë vendosur të hapin shkollat për nxënësit, dhe një pjesë e madhe e buxhetit është përqendruar në menaxhimin e situatës pandemike.

Likaj tha se për menaxhimin e pandemisë në arsim, një kontribut shumë i madh është dhënë dhe po jepet nga partnerët e zhvillimit dhe donatorët.

“Ministria e Arsimit gjithashtu ka rishikuar buxhetin e saj për të gjetur sa më shumë mundësi për të mbështetur komunat, përkatësisht shkollat për të menaxhuar kthimin e nxënësve në shkollë, përkatësisht zhvillimin e procesit mësimor me pjesëmarrjen e tyre në shkolla….Sot, ne jemi duke marrë një donacion nga KFOR-i italian në Kosovë. Ka laptopë që po i dorëzohen sot ministrisë së Arsimit për përdorim dhe kjo është një vazhdim i ndihmës së Qeverisë italiane, popullit italian dhe trupave italiane për Kosovën. Italia ka qenë pranë nesh në çdo situatë, kështu që ne jemi mirënjohës për mbështetjen dhe inkurajimin tuaj të vazhdueshëm. Këto laptopë do t’u shërbejnë zyrtarëve të MASH për të kryer detyra shtesë në këtë kohë”, tha ai.

Kurse, komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Michele Risi tha se përmes këtij donacioni po ofrohet u mundësohen studentëve të mësojnë nga shtëpia në këtë kohë pandemie.

Risi tha se misioni paqeruajtës KFOR-i po mundohet që përmes këtyre donacioneve tu mundësojnë të gjitha komuniteteve që ta përballojnë më lehtë pandeminë.

“Një projekt që do t’u mundësojë studentëve që të mësojnë nga shtëpia dhe të kuptojnë se edhe në kohën e Covid është e mundur të ruhen standardet që Ministria e Arsimit dëshiron të shtojë. Kështu që, Italia vendosi të dhurojë këta kompjuterë për të mundësuar arsimin në distancë dhe unë besoj se kjo është e rëndësishme, do t’u japë shpresë të gjitha komuniteteve, dhe do t’u mundësojë të përballen me një valë të dytë të mundshme me të gjitha mjetet e nevojshme. Si KFOR ne jemi të etur për të siguruar që kjo pandemi do të mbetet jashtë krizës, dhe së bashku do të përballemi dhe do ta trajtojmë në mënyrën e duhur, por ajo që është e rëndësishme për KFOR-in, është që kjo krizë shëndetësore të mbetet vetëm kaq, kështu që ne jemi tepër krenarë për mbështetjen e institucioneve dhe në veçanti të Ministrisë së Arsimit”, tha Risi.

Projekti u zbatua nga ekipi i bashkëpunimit civilo-ushtarak i Ushtrisë Italiane së bashku me pjesëtarët e Artilerisë së Regjimentit të 5-të të komanduar nga koloneli Gianluca Figus, të vendosur në Pejë.

Në muajt e fundit ushtarët italianë të KFOR-it, kanë ofruar ndihmë në një mënyrë të paanshme për të gjitha komunitetet në Kosovën Perëndimore, me fokus të veçantë në shëndetësi dhe arsimim, përmes dhurimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe pastrimit të objekteve arsimore.