​MASHTI në funksion të luftës kundër COVID-19

​MASHTI në funksion të luftës kundër COVID-19

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit inkurajon nxënësit që të vazhdojnë me ndjekjen e mësimit online në kohën kur vendi ynë, sikurse e gjithë bota, po përballet me pandeminë e koronavirusit COVID-19.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, MASHTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi, ndërkohë që janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur.

“Organizimi i mësimit në distancë ishte një sfidë e madhe, sepse për një kohë të shkurtër duhej përgatitur program voluminoz me përmbajtje mësimore për nxënësit nga klasa 1 deri në 9, në përputhje më kurrikulat e Kosovës. Këtë kemi arritur ta bëjmë me sukses deri tani, dhe po vazhdojmë tutje përkundër sfidave që po na shkakton sit uata pandemisë. Kemi arritur t’ua dërgojmë në shtëpi përmbajtjet mësimore mbi 234.000 nxënësve të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Të gjithë këta fëmijë po kanë mundësi të mësojnë, të aktivizohen, të komunikojnë me mësuesit e tyre dhe kësisoj të kontribuojnë në luftimin e pandemisë. Po ndihmojmë edhe realizimin e mësimit në distancë për mbi 77.900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, të cilët përmes platformave të ndryshme digjitale dhe me përkushtim maksimal të mësimdhënësve, po arrijnë ta zhvillojnë suksesshëm mësimin në distancë. Universitetet publike dhe ato private po zhvillojnë ligjëratat online me përfshirje shumë të madhe të mësimdhënëseve dhe studentëve”, theksohet në komunikatë.

MASHTI kërkon kujdes maksimal dhe respektim të masave të institucioneve shëndetësore, pasiqë sipas ministrisë, vetëm në këtë mënyrë do të tejkalohet situata dhe kthimi drejt normalitetit.

“Ky mobilizim i të gjithë neve është tregues i qartë se kur kemi vendosmëri, nuk ka asnjë sfidë që na ndalon. Prandaj, ne ju themi me mburrje, se pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm. Rrini në shtëpi dhe mësoni nga shtëpia”, përfundon komunikata.

Nga data 12 mars 2020, në Kosovë janë mbyllur shkollat për shkak të përhapjes së COVID-19, duke filluar kështu mësimi në distancë online për nxënësit përmes platformave të ndryshme digjitale.