Ministria e Financave dhe Transfereve është duke krijuar edhe një pako për rimëkëmbjen ekonomike

Ministria e Financave dhe Transfereve është duke krijuar edhe një pako për rimëkëmbjen ekonomike

Deri sot nga diaspora e Kosovës janë grumbulluar 368 mijë euro pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për mërgimtarët që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare për ta luftuar koronavirusin.

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu thotë se kjo shumë e mjeteve nga diaspora është në rritje vazhdimisht. Aliu duke folur për “Pakon emergjente”, thotë për kp, se kjo pako prej 180 milionë euro ka filluar të implementohet pjesërisht nga muaj mars, teksa shton se deri tash kanë aplikuar mbi një mijë biznese për të përfituar nga masa 1.3, të cilat kanë pasur vështirësi financiare për t’i paguar punëtorët e tyre.

Aliu thotë se “Pakoja emergjente”, ka qenë e dizajnuar për të shmangur problemet të cilat njerëzit i kanë, sidomos problemeve financiare dhe disa shtresa sociale, si dhe për t’iu ndihmuar bizneseve të cilat kanë nevojë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19. Sa i përket familjet që janë të papunë e që nuk përfitojnë nga asnjë skemë sociale, ai ka thënë se së shpejti mund të aplikojnë për të marrë nga 130 euro për çdo muaj, konkretisht në muajt mars, prill dhe maj.

“Të gjithë ata që kanë nevojë për mjete financiare dhe janë të afektuar nga ndalesa që kemi bërë apo nga problemet që kanë lindur nga koronavirusi, e kanë një procedurë që munden përmes aplikacionit të ATK-së të regjistrohen dhe kërkesat e tyre do të shqyrtohen brenda 15 dite. E kam fjalën për të gjitha masat. Masa 15, është një ndër masat më të qëlluara, sepse përfshinë një kategori të njerëzve që kanë qenë pothuajse në mëshirën e askujt. Është e padrejtë që ta kemi një qytetar në Kosovë i cili nuk është diku i regjistruar për ndonjë skemë sociale sado e vogël të jetë. Fillimisht duhet të regjistrohen në Agjencinë e Punësimit, pas regjistrimit patjetër duhet të mbushet një formulari i cili ekziston në mënyrë elektronike dhe në institucionet që merren me mirëqenie sociale, e jo në ATK. Formulari del në faqen e Ministrisë së Financave. Nëse s’ka dalë sot, do të del shpejt gjatë këtyre ditëve. Është i kompletuar, qytetarët mund të hapin dhe plotësojnë, mirëpo këtë formularë mund ta marrin edhe fizikisht e ta dorëzojnë”, thotë Aliu.

Sipas tij, kompanitë të cilat kanë hasur në vështirësi për t’i paguar punëtorë pas situatës së krijuar, kanë filluar të aplikojnë, ku pas 15 ditësh do të marrin përgjigjen nga një komision i Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

“Deri dje kanë qenë mbi një mijë aplikacione që janë bërë për këtë masë (1.3). Koha kur përfundon një aplikim, është një komision i cili i shqyrton të gjitha. Brenda 15 ditëve patjetër do ta marrin përgjigjen. Ne kemi ashtu siç kemi planifikuar, pagesat patjetër do të bëhen në prill për të gjitha masat që i kemi lansuar”, deklaron ai.

Ministria e Financave dhe Transfereve është duke krijuar edhe një pako për rimëkëmbjen ekonomike, por sipas Aliut fillimisht duhet të identifikohen ato industri të cilat kanë nevojë për mbështetje financiare nga një fond që do të jetë më i lartë se ai emergjent.

“Mënyra se si ju kemi qasur këtij problemi që e kemi, është në dy faza. Faza e parë është kjo pako që e diskutuam për urgjencën që e kemi. Ndërsa, pako e dytë merret me rimëkëmbjen ekonomike. Bisedat veç i kemi filluar. Ne kemi bërë një dizajnim se si do të duket pakoja për rimëkëmbjen ekonomike. Gjithashtu, i kemi ftuar të gjithë ata që munden me kontribuar si ekspert të brendshëm dhe të jashtëm. Odat ekonomike dhe të gjitha ata të cilët kanë ide se si duhet të duket rimëkëmbja ekonomike. Ne i ftojmë që të bëhen pjesë e ekipit. Pra, është në hartim e sipër pakoja, se kur do të del, datën nuk mund ta themi, sepse nuk e dimë se sa do të zgjatë kjo pandemi… Së pari duhet të identifikohen ato industri të cilat duhet të mbështeten, cilat janë nevojat që i kanë ndërmarrësit, dhe pastaj bëhet një plan i përgjithshëm për të gjitha këto. Varësisht prej saj do të bëhen kalkulimet, dhe sa para na duhen që ta bëjmë rimëkëmbjen e pastaj implementimi. Për shumë, nuk do të kisha cek, por shuma do të jetë shumë më e madhe se kjo pakoja emergjencës”, thotë Aliu.

Ndonëse, në masën numër 6 të Pakos Emergjente, janë përfshirë me një pagë mbështetëse nga 300 euro për punonjësit që janë në vijën e parë në luftë me Covid 19, Ministria e Financave nuk ka përfshirë edhe gazetarët. Aliu thotë se për shkak të mungesës së buxhetit, fatkeqësisht nuk janë përzgjedhur edhe gazetarët sikur mjekët, policia dhe doganierët.

“Sikur ta kishim pasur një buxhet sa mesatarja e shteteve të Evropës, 12 miliardë euro, kishte me qenë shumë e lehtë. Të gjithëve në Kosovë, po japin nga 500 euro. Është dëshirë edhe e imja por nuk është reale. Por me mundësitë që ne i kemi pasur, ne kemi thënë që njerëzit të cilat janë drejtpërdrejt në rrezik nga pandemia për shkak të kontaktit që kanë me pacientë. Unë jam mëse mirënjohës për punën që e bëjnë gazetarët dhe shumë e vlerësoj, mirëpo mes mjeku dhe juve (gazetarëve), e kam zgjedh mjekun aq i kemi pasur mundësitë”, thotë ai.

Aliu nuk pati të dhëna të sakta edhe për numrin e punëtorëve pa kontrata që kanë aplikuar për të përfituar nga 130 euro në këta tre muajt në vijim. Ndërsa, buxheti i shtetit fillimisht pritet të humb rreth 200 milionë euro, fillimisht nga pandemia.