Ka përfunduar xhiro e dhjetë e Superligës së Kosovës me dy përballjet mes Drenicës-Prishtinës dhe Llapit-Dritës.

Prishtina kishte udhëtuar drejt Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu”, ku edhe e gjeti humbjen e tretë radhazi në Superligë. Ndeshja ka përfunduar me rezultat minimal 1:0 në favor të Drenicës, ku golin e vetëm për “Shqiponjat e Zeza”, e dha mesfushori Egzon Fazliu në minutën e 59’.

Pas dhjetë xhirosh, Drenica ka arritur të tubojë 14 pikë me 4 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, duke qëndruar kështu në pozitën e pestë në tabelë. Ndërsa, Prishtina qëndron në pozitën e gjashtë me një ndeshje më pak në duar, duke tubuar 11 pikë në nëntë ndeshje me vetëm 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.

Përballja tjetër mes Llapit dhe Dritës i takoi këtyre të fundit, ku rezultati përfundimtar ishte 1:2. Llapi priti në stadiumin e tyre “Zahir Pajaziti”, ekipin nga Gjilani, Dritën të cilët janë duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë. Golin e vetëm për Llapin e shënoi sulmuesi Valmir Veliu në minutën e tetë, ndërsa për Dritën golashënues ishin sulmuesi Almir Ajzeraj në minutën e 57’ dhe Januzi në minutën e 71’.

Në radhitje tabelare, Drita qëndron në pozitën e dytë me 19 pikë të tubuara me 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Ndërsa, Llapi është në pozitën e nëntë, njëkohësisht e parafundit me vetëm 5 pikë të tubuara me vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje.