Me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor gjashtë institucione që kanë rol kyç në mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi. KQZ-ja, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Kryeprokuroria e Shtetit, PZAP dhe KPM-ja u zotuan se do të angazhohen që gjatë procesit zgjedhor të eliminohen shkeljet zgjedhore dhe të koordinohen për ndjekjen, hetimin dhe gjykimin e atyre që tentojnë të njollosin organizimin e zgjedhjeve.

Ky memorandum bashkëpunim erdhi me inicimin e organizatës jo qeveritare D4D. Drejtoresha, Rrezarta Krasniqi tha se qëllimi është ngritja e nivelit të bashkëpunimit.“Ngritja e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm të institucioneve të cilat ndërlidhen në procesin zgjedhor”, tha ajo.

E përgjegjësja kryesore e organizimit të zgjedhjeve, Valdete Daka nga KQZ-ja tha se do të bëjnë çmos të mos cenohet e drejta e votës së qytetarëve.“Të flasim të gjithë një-zëri me qëllimin për t’i shërbyer respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve besoj se i ndihmon rritjes së besueshmërisë, pikërisht të qytetarëve, në proceset zgjedhore. Prandaj, edhe kjo marrëveshje e sotme është tregues i qartë i vullnetit të përbashkët të të gjitha institucioneve për të bashkëpunuar me qëllimet që proceset zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin, por edhe të reagojmë kur cenohet integriteti i tyre dhe e drejta e votës”, tha ajo.

Ndërkaq, Skender Çoçaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës u zotua se gjitha rastet që ndërlidhen me zgjedhjet do të trajtohen me prioritet dhe gjykohen pa vonesa.“Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar të mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve që garantohen me Kushtetutë. Ne këtë drejtim shprehim gatishmërinë tonë që rrisim nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për parandalimin e shkeljeve ligjore. Hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të rasteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet. KGJK merr përsipër dhe zotohet se këto raste do të trajtohen me prioritet dhe gjykohen pa vonesë”, tha ai.

Ndjekje më të shpejtë të gjithë atyre që bëjnë shkelje premtoi drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili paralajmëroi edhe zvogëlimin e numrit të policëve në qendrat e votimit.“Mendoj që bashkërisht mund të arrijmë më shumë në parandalimin e shkeljeve ligjore, parandalimin e rregullave zgjedhore. Pastaj të jemi më efikas në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e personave, grupeve politike apo atyre të ndryshme që tentojnë të njollosin procesin zgjedhor”, u shpreh Qalaj.

Përfshirjen e KPM-së në këtë memorandum e përshëndeti prokuroria Laura Pula, e cila kërkoi që të shmangen lajmet e rrema në procesin zgjedhor.“Shtatë vjet pas nënshkrimit të memorandumit të parë na është bashkangjitur edhe KPM-ja. Konsiderojmë që do të ruaj rolin e tij të rëndësishëm në këtë memorandum dhe bashkëpunim institucional me qëllimin e vet të adresojë çështjet për lajmet rreme. Ato kryesisht kanë ndikuar dhe prishur procesin zgjedhor”, tha ajo.

Luan Latifi nga KPM-ja tha se nënshkrimi i këtij memorandumi do të konkretizojë angazhimin e tyre që mbarëvajtja e zgjedhjeve të jetë më e mirë.“Nënshkrimi i memorandumin e konkretizon edhe më mirë angazhimin tonë. Shpresoj që përfshirja e KMP-së, nuk e di arsyen që nuk ka qenë më herët, por si institucion e kemi prioritet respektimin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale dhe Përgjithshme të implementohet”, tha ai.

Fjalë të mira për këtë memorandum bashkëpunimi shprehu Gyltene Sylejmani nga PZAP.

Ndërkohë u publikua edhe një raport për numrin e ankesave, ku gjatë këtyre dhjetë viteve PDK-ja ka qenë subjekti politik me ndëshkueshmerinë më të lartë nga PZAP, e pasuar nga LDK-ja./KP