Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtarë dhe kandidate të BE-së, është shprehur skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë qysh këtë vit.

“Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha kancelarja.

Merkel shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut qysh këtë vit. Ajo tha se shpreson që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do ta mënjanojnë grindjen e tyre.

Sa i përket Serbisë, Merkel theksoi se ajo duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën.

Ajo tutje tha se ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE.

Ndryshe, më 7 dhjetor ministrat e Jashtëm të BE-së do të vendosin për hapjen zyrtare të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.