Mësimdhënësit e infektuar me koronavirus mbeten të angazhuar duke i zhvilluar orët e tyre mësimore online, ndonëse Ministria e Arsimit ka paraparë 1 mijë norma plotësuese të cilat do të ndahen për zëvendësimin e tyre. Megjithatë, MASH thotë se Drejtoritë Komunale të Arsimit janë përgjegjëse për zëvendësimin e mësimdhënësve të infektuar, komunat thonë se ky plan është i parealizueshëm.

Në të gjithë vendin, mësimdhënësit të cilët janë në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të infektimit me COVID-19, po zëvendësohen nga kolegët e tyre, derisa SBASHK-u ngrit shqetësimin se këta të fundit përkundër që po mbajnë orët shtesë, nuk po paguhen.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Faik Konica” në Prishtinë, prej dy javësh është duke zhvilluar mësim online, pasi që pesë mësimdhënës dhe dy nxënës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Blerim Dalipi, thotë se të pesë këta mësimdhënësit janë mirë me shëndet dhe janë duke i mbajtur orët mësimore online.

Ai thotë se kanë bërë kërkesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit të Prishtinës për zëvendësimin e tyre, por që deri tani nuk kanë marrë një përgjigje.

“Fatmirësisht deri tash gjendja e tyre shëndetësore nuk është aq e keqe sa mos të kenë mundësi të zhvillojnë mësimin, të gjitha orët të cilat i kanë të paraparë në bazë të orarit janë duke i mbajtur vet nga shtëpitë e tyre, fatmirësisht nuk kemi të shtrirë në spitalet e Kosovës. […] Para se të kalojmë në skenarin C (E-mësimi) kemi pasur raste të një mësueseje e cila ka rezultuar pozitiv dhe mësimi është mbajtur në shkollë, në atë rast fatmirësisht kemi pasur klasat e 5-ta, mësimdhënësit e klasave të 5-ta që i kanë zëvendësuar koleget e veta në ndërrimin e pasdites. Do të thotë kanë mbajtur mësim nga paraditja dhe kanë mbajtur mësim edhe pasdite, kështu që nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga jashtë shkollës. Edhe pse kërkesat nga mësimdhënësit janë të tilla që të zëvendësohen nga ata 1 mijë mësimdhënës të paraparë nga MASH, kërkesat i janë drejtuar DKA-së dhe presim prej tyre një reflektim pozitiv”, thotë ai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në master planin e hartuar për vitin shkollor 2020/2021 ka paraparë 1 mijë norma plotësuese të cilat të jenë në funksion për zëvendësimin e mësimdhënësve gjatë periudhës kur ata janë me COVID-19.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Diellza Kukaj, thotë se Drejtoritë Komunave të Arsimit dhe Komunat janë përgjegjëse për angazhimin dhe gjetjen e alternativave për kompensimin e mungesave të mësimdhënësve gjatë periudhës që mësimdhënësit mungojnë për shkak të virusit.

“Në master planin e hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Zhvillimin e Mësimit në Kushte Pandemie 2020/2021 në Republikën e Kosovës i cili është aprovuar nga Qeveria e Kosovës, MASh ka paraparë 1000 norma plotësuese të cilat do të jenë në funksion të mësimdhënësve të cilët do të mungojnë në periudhën e infektimit me COVID-19. DKA-të dhe komunat janë përgjegjëse për angazhimin dhe gjetjen e alternativave për kompensimin e mungesave të mësimdhënësve gjatë periudhës që mësimdhënësit mungojnë për shkak të virusit”, thuhet në përgjigje.

Mirëpo, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Shpresa Shala, thotë se mënyra se si është paraparë shfrytëzimi i këtyre normave për kryeqytetin është i parealizueshëm.

Ajo thotë se në disa shkolla të kryeqytetit mësimdhënësit e të njëjtës shkollë kanë zëvendësuar kolegët e tyre, por që thotë se kjo është një ngarkesë shumë e madhe për mësimdhënësit.

“Mënyra se si MASH e ka planifikuar që të angazhojë mësimdhënës për Komunën e Prishtinës është e parealizueshme, ata kanë miratuar 1 mijë norma, jo vende të punës. Kjo do të thotë që një mësimdhënës i cili e ka një normë 20 orë atëherë duhet t’i shtohen edhe 20 orë dhe ta bëjë edhe një normë tjetër, gjë që është e pamundur, ose nëse një mësimdhënës nuk e ka normën e plotë e ka vetëm 15 orë i shtohen edhe 5 orë apo 10 orë sa ka mangët. Mirëpo, ne gjithmonë për shkak të numrit të madh të nxënësve edhe raportit fshat dhe qytet kemi mungesa të vendeve të punës për mësimdhënës dhe gjithmonë para se të shpallen konkurset e bëjmë analizë dhe të gjithë mësimdhënësve në nivel të Prishtinës i plotësojmë normat mësimore. Kjo ndoshta na ka penalizuar në këtë kohë për shkak që ne nuk kemi mësimdhënës të cilët nuk kanë norma dhe mund t’i plotësojmë norma e t’i zëvendësojmë mësimdhënësit të cilët janë të sëmurë. Mënyra si është menduar që këto 1 mijë norma të bëhen për Komunën e Prishtinës është e parealizueshme”, thotë Shala.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jashari, thotë se në të shumtën e rasteve mësimdhënësit me COVID po zëvendësohen nga kolegët e tyre, për çka shpreh shqetësimin se deri më tani nuk kanë informacione që të njëjtët janë paguar për orët shtesë.

“Po zëvendësohen duke i shpërndarë orët tek kolegët e tjerë, bie fjala nëse preket mësimdhënësi i matematikës kolegët që janë brenda shkollës të së njëjtës lëndë, i ndajnë orët. Edhe pse po them kjo nuk është krejt efektive, por është një zgjidhje e përkohshme ngase zgjidhjet e tjera këtu nuk mund të bëhen sepse këta njerëz uroj që pas tri javësh së largu të rikuperohen, të shëndoshen, ta tejkalojnë COVID-19 dhe të kthehen në shkollë. Pra, tek këta është më vështirë dhe e vetmja mënyrë është që kolegu kolegun ta zëvendësojë, por jo ta zëvendësojë kot sepse ka mjete buxhetore të ndara për mbi-normat dhe këto mjete duhet të shkojnë tek ai që i meriton dhe jo të mbesin të grumbulluara, qoftë në DKA, qoftë diku tjetër”, thotë Jashari.

Vetëm në Prishtinë janë mbi 85 nxënës të infektuar me COVID-19, ndërsa janë mbi 45 mësimdhënës pozitivë me koronavirus. Mbrëmë një mësimdhënës humbi betejën më sëmundjen. Profesori Milaim Berisha, pjesë e trupës pedagogjike të Gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ndërroi jetë pasi ishte infektuar me virusin SARS-COV-2./kp