Milani po shkon drejt mbylljes së marrëveshjes me mbrojtësin e Chelseas, Fikayo Tomori në huazim deri në fund të sezonit me një mundësi blerjeje prej 25 milionë funtash, njoftoi “Goal.com”.

Mbrojtësi i Strasburgut, Mohamed Simakan kishte qenë shënjestra kryesore e “Rossonerëve”, por francezi, i cili është gjithashtu në shënjestrën e RB Leipzig ka nevojë për operacion dhe do të mbetet jashtë fushës për rreth dy muaj.

Milani ka ndjekur 23-vjeçarin Tomori për disa kohë dhe vetëm disa detaje të marrëveshjes duhet të kompletohen përpara se transferimi të zyrtarizohet.

I lindur në Kanada, qendërmbrojtësi ka qenë në Chelsea që kur ka qenë shtatë vjeç dhe megjithëse ai erdhi përmes sistemit të të rinjve të klubit nga “Stamford Bridge”, ka arritur të bëjë vetëm 27 paraqitje për ta, duke shënuar dy gola.

Trajneri i Chelseas, Frank Lampard ka këmbëngulur të premten se Tomori do të lejohej të largohej nga klubi vetëm në baza të përkohshme.

“Ai absolutisht ka një të ardhme afatgjatë në këtë klub dhe ne do të shohim nëse dhe kur ai do të shkojë në huazim”, tha menaxheri.