Pranë sheshit “Nënë Tereza” është vendosur tenda e Transfuzionit të Gjakut, ku për një javë vullnetarët do të kenë mundësinë për të dhuruar gjak. E pothuajse çdo ditë ka më shumë se 150 kërkesa për gjak nga qytetarë të vendit.

Për nder të 14 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar te Gjakut, në Prishtinë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka dhuruar gjak në njërën nga tendat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut. Nga aty ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak, që kështu të shpëtojnë jetë.

“Dhuroni gjak, shpëtoni jetë, bëhuni pjesë e kësaj kampanje dhe për të mirën e qytetarëve edhe të vendit dhe Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi ka folur për aktivitetet e organizuara gjatë javës së dhurimit të gjakut e cila do të zgjasë deri me 21 qershor.“Dhurimi i gjakut mund të bëhet çdo ditë në sheshin “Nënë Tereza”, prej orës 09:00 të mëngjesit deri në orën 16:00. Mund të bëhet dhurimi i gjakut edhe në qendrat rajonale të transfuzionit të gjakut. Duke filluar prej Vushtrrisë, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit dhe Ferizajt të cilat janë të hapura për dhurimin vullnetar të gjakut. Edhe sot prej orës 08:00 deri në orën 14:00”, u shpreh ajo.

Zhybi theksoi se nevojat për gjak janë çdo ditë të mëdha, ku thekson se kërkesa të tilla në ditë janë deri në 150.

“Sot është dita e parë, starti ka qenë shumë i mirë. Shpresoj që ditëve në vijim do të jetë kështu njëjtë. Po ashtu kemi shpërndarë mesazhe tek njerëzit mes Valës 900 të cilët na kanë mundësuar, dhe ata na kanë mundësuar që të shkoj mesazhi bamirës për dhurimin e gjakut ku është moto edhe për dhurimin e gjakut “Bëhu hero duke dhuruar gjak”, ka shtuar ajo.