​Miratohet projekt-kodi i procedurës penale, gjykimi në mungesë për të gjitha veprat penale

Me vota unanime është miratuar në parim projekt-kodi i procedurës penale në Komisionin për Legjislacion. Ky projekt-kodi parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundim të ligjit në vendin tonë.
”Sa i përket gjykimit në mungesë, duke pasur parasysh që ka qenë një çështje që është diskutuar gjatë dhe tani është ndryshimi që gjykimi në mungesë do të vlejë për të gjitha veprat penale. Më lejoni që të ju njoftoj që gjykimi në mungesë ka për qëllim që të sigurojë se i akuzuari të mos mund ta vonojë në asnjë rrethanë administrimin e drejtësisë duke iu shmangur kështu gjykatës. Rrjedhimisht gjykimi në mungesë sjell drejtësi për viktimat dhe mundëson lejimin e kompensimit, po ashtu parandalon përsëritjen e krimeve në të ardhmen dhe po ashtu i jep fund kulturës së mos ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime në Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se për të gjitha veprat tjera penale që janë në kodin penal të Republikës së Kosovës duhet që i dyshuari të jetë në seancën e parë dhe të dytë, ndërsa për rastet e krimeve të luftës kjo nuk do të vlejë pasi që është shumë e vështirë që kriminelët e luftës të sillen para drejtësisë.
”Qëllimi i këtij neni është që përmes suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi eventual duke ushtru funksionin dhe duke u përball me aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Njëkohësisht suspendimi duke mos paragjykuar fundin e procesit do të mundësoj zhvillimin e procedurës penale në mënyrë të pa penguar dhe do të eliminohet mundësia e ndikimit qoftë në prova apo dëshmitar. Suspendimi zbatohet për gjithë personat zyrtar të akuzuar për vepra penale të korrupsionit duke mundësuar kështu trajtimin dhe qasjen uniforme ndaj tyre pa marr parasysh funksionin ose detyrat që mund të ushtrojnë”, ka shtuar tutje ajo.
Sa i përket afatit të hetimeve, ministrja Haxhiu tha se është bërë dy vite, por në rastet e veprave kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe vepra të cilat janë të natyrës komplekse, gjykata mund t’ia lejoj prokurorisë edhe një vit shtesë.

Back to top button