Zyra e BE-së në Kosovë i ka dorëzuar sot Ministrisë së Shëndetësisë pjesën e dytë të donacionit prej 5 milionë eurove për të luftuar pandeminë COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë sot ka marrë maska mbrojtëse për personelin shëndetësor, ku u tha se tashmë ka të mjaftueshme për gjithë personelin shëndetësor.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, i cili bëri dorëzimin e këtij donacioni, tha se janë ndihma teknike dhe të nevojshme për stafin shëndetësor.

“Sot e dorëzuam një pjesë të donacionit që e kemi ndarë si ndihmë medicinale për stafin mjekësor të Kosovës, që është një donacion i mëhershëm, por sot ishte vetëm pjesa e dytë. Si i plotë është një donacion prej 5 milionë eurosh, që do të thotë jepet në formë të grantit, që nënkupton se Kosova nuk ka nevojë t’i kthejë ato. Ndërsa në përgjithësi janë ndihma teknike, pajisje të nevojshme për nevojat e përditshme të stafit mjekësor në adresimin e çështjes së pandemisë. Në fazën e mëvonshme, sepse është një sasi ende e pashfrytëzueshme i këtij 5 milionë euro do të vijnë pajisje edhe më të nevojshme siç janë ventilatorët dhe autoambulanca. Po flasim për gjysmën e donacionit deri tash, ndërsa ka të bëjë me pajisjet që kanë pasur nevojë emergjente”, tha Serri.

Ai tha se do të jenë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën edhe në fazën e rimëkëmbjes ekonomike.

“Meqenëse qeveria në detyrë e ka bërë një plan për rimëkëmbje ekonomike, ne kemi menduar një ndihmë në formë të kredive në vlerë për rreth 100 milionë eurove dhe përveç asaj do të kemi edhe një ndihmë tjetër në vlerë prej 63 milionë euro, e cila do të jetë në formë grantesh që do ta ndihmojë Kosovën në fazën e rimëkëmbjes. Këto 63 milionë do të ndahen për ndërmarrjet e vogla, për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, biznese, çështje sociale që në një mënyrë qëllimin e kanë të rimëkëmbin shoqërinë kosovare”, tha Serri.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se falë miqve të Kosovës kanë arritur të sigurojnë mjaftueshëm masa mbrojtëse, si dhe aparatura që do të dyfishojnë kapacitetet e shëndetësisë kosovare.

“Lehtësim edhe një shpejtësi të marrjes së të gjitha këtyre mjeteve për një afat rekord ne kemi filluar dhe kemi marrë të gjitha këto mjete që sot po i shihni. Edhe sot kemi të bëjmë kryesisht me maska mbrojtëse për personelin shëndetësor, i cili gjatë këtyre muajve ka bërë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur kurbën e sheshtë për të mos stërngarkuar apo edhe kolapsuar sistemin tonë të brishtë shëndetësor. Tani këto dy muaj si MSH dhe si qeveri, por natyrisht me ndihmën e miqve tanë kemi siguruar mjaftueshëm edhe materiale mbrojtëse, por do të vijnë shumë shpejt edhe nga EU edhe aparatura të tjera të cilat do t’i dyfishojnë kapacitetet tona dhe në një valë eventuale të dytë si po pritet nga ekspertët shoqëria kosovare, shëndetësia kosovare, mjekët do të jetë shumë më të përgatitur që t’i dalin zot valës së dytë”, tha ai.

Ministri Vitia tha se pas lehtësimit të masave ka një qarkullim më të shtuar të qytetarëve, për çka ai tha se rreziku ende nuk ka kaluar. Ai thotë se qytetarët duhet të dalin dhe të punojnë, por gjithë kohën të respektohet distanca fizike dhe të jenë të pajisur me maska.

“Nëse numrat vazhdojnë të bien, numri i të infektuarve dhe nëse respektohen masat nga qytetarët unë besoj që edhe gjatë fazës së dytë do të ketë lehtësime edhe në lëvizje, por do të ketë lehtësi edhe në biznese dhe në veprimtari të tjera. E përsëris, është shumë e rëndësishme që qytetarët të dalin, por ta mbajnë distancën fizike, e mbi të gjitha mos të dalin pa maska”, tha ai.