Vedat Muriqi është i sigurt se karakteristikat e tij janë perfekte për stilin e lojës së Lazios dhe ai shpreson që do të jetë i suksesshëm në kampionatin italian.

Reprezentuesi nga Kosova iu bashkua Lazios nga Fenerbahche për 20 milionë euro. Me 15 gola të realizuara në 32 paraqitje në Superligën Turke, Muriqi thekson se do të përshtatet shumë mirë me “Biancocelestët”

“E shoh veten shumë mirë në stilin e lojës së ekipit tim të ri.”, deklaroi ai për Tuttomercatoweb.

“Lazio luajti me dy sulmues në shumicën e ndeshjeve sezonin e kaluar. Ata thanë se kanë pasur nevojë për një sulmues si unë. Edhe unë i zgjodha ata. Suksesi i ekipit vjen së pari, pastaj ai individual. Tani kam një ekip të ri dhe shpresoj të jem i suksesshëm. Në pak vite, unë dua të luaj për klubet më të mira në botë. Do jap më të mirën time për Lazon.”, përfundoi Vedat Muriqi.