​Musliu: Në politikë gratë përballen me ofendime për pamjen, prejardhjen e moralin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar që në Kosovë është i domosdoshëm përmirësimi i politikave gjinore. Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, Musliu ka folur për diskriminimin që u bëhet grave, sipas saj edhe nga vet gratë të cilat janë në pozita udhëheqëse.
Deputetja e PDK-së ka thënë se diskriminimi po ndodh në të gjithë sektorët.
“Në politikë gratë përballen me barriera kulturore dhe me stereotipe gjinore nga më të ndryshmet, nga ofendimet për sa i përket inteligjencës, pamjes, prejardhjes e deri të morali i tyre. Barrierat që u krijohen grave në fund në këtë fushë janë strukturore, mediatike dhe mentaliste. Më e shëmtuara këtu është se edhe në dikastere shtetërore me të cilat menaxhojnë gratë ndodh diskriminimi i gjinisë femërore, nga gratë udhëheqëse të cilat në ato pozita jo rrallë vinë duke përdorur me mjeshtri politikat gjinore”, ka thënë Musliu.
Ajo ka thënë se në kompanitë në Kosovë gratë nuk po vendosen në pozita udhëheqëse ani pse janë të kualifikuara.
Musliu ka theksuar se debati parlamentar duhet t’i shërbejë identifikimit të problemeve gjinore në shoqëri dhe të nxjerrë një pasqyrë të të arriturave dhe ngecjeve të deritanishme.
Ajo ka thënë se përmes debatit në Kuvend duhet të identifikohen sfidat e së ardhmes dhe të krijohet një strategji e mirëfilltë për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe me zë./KP

Back to top button