Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë thirrje që institucioneve t’u jepet përkrahje, në procesin e dialogut për të cilin e ka përsëritur se është politik.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se  sot e ka zhvilluar një telefonatë me Skender Hysenin, që është emëruar koordinator për dialogun.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tutje Mustafa ka përmendur takimin e Hysenit me Philip Reekerin, Asistent Sekretar Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, takim ky që ka thënë se dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut.

“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e qojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, ka shkruar në fund Mustafa. /21Media