Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Kosova ka kërkuar angazhim të fuqishëm të SHBA-ve në procesin e dialogut, gjë që u dëshmua sot me involvimin e drejtpërdrejtë të presidentit Tramp dhe udhëheqjes më të lartë në Washington, e që ka domethënie më të madhe sesa vet përmbajtja e marrëveshjeve.

Mustafa ka thënë për kp, se të gjitha marrëveshjet kanë peshën dhe rëndësinë e tyre, pasi nga ato përfiton Kosova si shtet, përfiton procesi i njohjes reciproke dhe përfitojnë qytetarët e Kosovës.

“Sa i përket pauzimit në anëtarësime për një vit në organizata ndërkombëtare, mendoj se kjo arsyetohet me faktin e një dinanizimi kohor të përmbylljes së dialogut e cila fazë pastaj kurorëzohet me njohje reciproke dhe me anëtarësim në OKB. Çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare e kemi realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me SHBA, prandaj edhe ky është një koordinim në proces. Teoritë se kryeministri Hoti me këtë hoqi dorë nga sovraniteti janë broçkulla”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ata që avancojnë këto teori nuk ia sollën Kosovës njohjen e një prej vendeve më të fuqishme, Izraelit, por ia solli SHBA dhe marrëveshja. /kp