Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa u ka uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësisë Islame, festën e Fitër Bajramit.

Në urumin e Mustafës thuhet se përmbyllja me devotshmëri e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku besimtarët myslimanë treguan përkushtim dhe adhurim ndaj Zotit, privuan veten nga ushqimi dhe pirja, në emër të solidaritetit dhe fisnikërimit të shpirtit njerëzor.

“Uroj që të gjithë ata që agjëruan, Zoti të ua pranoj agjërimin dhe lutjet e tyre. Devotshmëria dhe përulja ndaj Zotit duhet të reflektohet edhe në marrëdhëniet më të mira ndërnjerëzore, të mbizotërojë paqja, dashuria dhe mëshira si vlerat më të larta humane. Ky muaj nuk ishte i zakonshëm për besimtarët myslimanë, ngase ata nuk takuan njëri tjetrin dhe lutjet i bënë nga shtëpitë e tyre. Kosova ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës etnike dhe fetare, ndërsa ky mozaik është pasuri e çmuar e popullit tonë. Populli i Kosovës përmes festave çdoherë e më shumë po i forcojnë dhe kultivojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes. Paçi dashuri, mirëkuptim, tolerancë dhe mirëqenie në familjes tuaja”, thuhet në urimin e Mustafës.

Fitër Bajrami pason Muajin e Shenjtë të Ramazanit gjatë të cilit, sipas besimit islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit./21Media