Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot ka deklaruar se pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit, derisa ka shtuar se situata me COVID-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime.

Ajo ka shkruar se kjo është arsyeja që kanë marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.

“Mësimi plotësues parashihet me legjislacionin në fuqi siç e kam thënë edhe në ditën kur e morëm këtë vendim. Këtu po e citoj Ligjin për Arsimin Para Universitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, Neni 8 paragrafi 6, nenpragrafi 6.3 ku thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ””, ka shkruar ministrja në facebook.

Nagavci ka thënë se për rezultatet e ulëta në arsim, përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve.

“Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marrë fund”, ka shtuar ajo.

Nagavci kërkon nga shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për fëmijët që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe, duke thënë se çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Ndryshe, SBASHK-u ka kërkuar nga drejtorit arsimore që përmes drejtorëve të shkollave të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që e angazhojnë në mësimin plotësues duke precizuar sa orë do t’i mbajnë, në cilën kohë e në cilin vend.

‘DKA-të të mos harrojnë se norma javore është 20 orë mësimi dhe se në Kontratën Kolektive të Arsimit saktësohet se çdo orë e mbajtur mbi këtë normë duhet të paguhet si orë e rregullt. Në të kundërtën SBASHK u drejtohet me apel anëtarësisë , pra punëtorëve në Arsimin Parauniversitar , që të mos fillojnë me mësimin plotësues’, ka theksuar SBASHK.

Pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit. Situata me Covid-19 ka bërë që shumë nxënës të…

Posted by Arbërie Nagavci on Thursday, April 29, 2021