Nënkryetarja e Kuvendit, njëherësh anëtare e Kryesisë së VV-së, Arbërie Nagavci, që ka iniciuar debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, tha se tashmë kësaj ndërmarrje xhirollogaritë i kanë rënë në zero dhe gjendet në prag të falimentimit.

Ajo tha se krejt kjo po ndodh për shkak të ndikimit politiko partiak që për 10 vjet partitë që kanë qenë në pushtet kanë keqpërdorur me këtë ndërmarrje publike.

Nagavci akuzoi partitë politike, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, se kanë zhvatur dhe plaçkitur Telekomin e Kosovës.

Shfrytëzimin e Telekomit e pati filluar monako telekom duke përdorur administrimin ndërkombëtar. Telekomit në atë kohë PTK iu imponua partneri monakes dhe teknologjia franceze. Por, fillimi i shkatërrimit të vërtet të Telekomit, shkatërrimit të përshpejtuar ka filluar nga viti 2009, në këtë kohë bordi i atëhershëm i Telekomit të Kosovës përkundër vërejtjeve me shkrim nga grupi i financierëve, juristëve dhe inxhinierëve të njohur e të mirëpërgatitur profesionalisht të Telekomit e autorizoj menaxhmentin e asaj kohe që të lidhte këtë kontratë të dëmshme me Z-Mobile”, tha ajo.

Nënkryetarja e Kuvendit tha se kontrata me Z-Mobile, shërbeu si një autostradë e cila brenda 10 vitesh e solli Telekomin nga një ndërmarrje profitabile buzë falimentimit.

Kjo kontratë e nënshkruar në vitin 2009, Nagavci tha se ka qenë fatale për funksionimin e Telekomit të Kosovës, për shkak edhe të vështirësive të përmbushjes së saj.

Ajo u shpreh se do të mbesin pa paga rreth 2 mijë e 300 punëtorë të Telekomit, si dhe rrezikohen edhe pagat e mbi 1 mijë punëtorëve të Postës së Kosovës.

Tutje Nagavci tha se grupe të caktuara brenda këtyre partive kanë vepruar nën maksimën që korrupsioni dhe krimi i organizuar le të ec, ndërsa drejtësia le të ngec. Nagavci u shpreh se ecja e korrupsionit dhe krimi i organizuar është i përkohshëm.

Nagavci ka prezantuar edhe rezolutën për Telekomin prej 6 pikave e të cilat janë:

1. Qeveria të zbatojë në përpikmëri Vendimin Nr. 02/39 të 3 qershorit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbi masat për parandalimin e keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike. Qeveria të mbikëqyrë vazhdimin, zbatimin dhe përshtatshmërinë e masave, si dhe të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre.

2. Aksionari, ndërmarrjet dhe organet kompetente shtetërore të kërkojnë vërtetimin e nulitetit të marrëveshjeve, që cenojnë rendin publik, dispozitat urdhëruese dhe moralin e shoqërisë. Nuliteti të kërkohet edhe në procedura civile, pa marrë parasysh epilogun e rasteve penale.

3. Të nisen procedurat për ndryshimin e Ligjit 04/L-220 për Investime të Huaja për të tërhequr pajtimin e pakufizuar të Republikës së Kosovës për arbitrazh ndërkombëtar me cilëndo palë që pretendon se është investitor i huaj dhe që nuk i ka të deklaruar aksionarët e vërtetë.

4. Qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur Telekomin nga kreditorët e pandërgjegjshëm, me qëllim të stabilitetit financiar të Telekomit dhe të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

5. Qeveria brenda 60 ditëve të hartojë një plan strategjik për rimëkëmbjen financiare të Telekomit, gjithashtu Qeveria brenda këtij plani të ketë prioritet rritjen e kapitalit me qëllim të rritjes së vlerës së ndërmarrjes.

6. Aksionari nëpërmjet të zgjedhurve në Bordin e Drejtoreve të shqyrtojë të gjitha kontratat komerciale që janë lidhur paraprakisht, në kundërshtim me masat e përcaktuara në Vendimin Nr. 02/39.